Diplomati I Huaj: Kemi Gjetur Disa Mënyra Për Ta Ndihmuar Kosovën Që Të Përgatitet Për Hyrje Në NATO

Diplomati I Huaj: Kemi Gjetur Disa Mënyra Për Ta Ndihmuar Kosovën Që Të Përgatitet Për Hyrje Në NATO

Diplomati I Huaj: Kemi Gjetur Disa Mënyra Për Ta Ndihmuar Kosovën Që Të Përgatitet Për Hyrje Në NATO

NATO ka thënë se përmes procesit të zgjerimit të kësaj aleance ushtarake nuk u bëhet presion shteteve të caktuara që të bëhen anëtare, porse zgjerimi më shumë është një proces i bazuar në parimin e “dyerve të hapura” për të gjithë ata që duan të anëtarësohen dhe janë të gatshëm t’i përmbushin kriteret.

Rusia ka thënë se fundmi se procesi i zgjerimit të NATO-s është shembull i agresivitetit dhe rritjes së sferës së interesave në dëm të Rusisë.

Këto akuza Moska po i bën në kohën kur ka grumbulluar mbi 100,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës dhe po kërkon që Kievi të mos bëhet kurrë pjesë e aleancës ushtarake. Ky grumbullim, nga Perëndimi po shihet si përgatitje e Kremlinit për ta pushtuar Ukrainën.

Duke iu përgjigjur akuzave të Moskës, NATO ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor është shembull i suksesit të politikës së “dyerve të hapura”.

Shtetet e Ballkanit, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë shfaqur aspirata për anëtarësim, i kanë përmbushur kriteret dhe tani janë anëtare të aleancës.

Por, Serbia, e cila ka vendosur që të mos bëhet anëtare, sipas aleancës, nuk detyrohet që ta ndërrojë mendjen. Së voni, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur qëndrimin e tij se respekton vendimin e Beogradit për neutralitet ushtarak.

Stoltenberg ka thënë se NATO-ja nuk i detyron shtetet që t’i bashkohen aleancës, por i mban të hapura dyert për shtetet që me vullnetin dhe vendimin e tyre sovran, pa ndërhyrje nga askush, vendosin që të anëtarësohen.

Për shkak të kësaj politike, NATO ka hedhur poshtë kërkesën e Rusisë që, përveç mosanëtarësimit të Ukrainës në NATO, kjo e fundit të mos zgjerohet drejt lindjes.

Në ueb-faqen e NATO-s janë publikuar disa sqarime që kanë për qëllim të hedhin poshtë pretendimet e Moskës. Mes tjerash, aleanca ka përsëritur se asnjëherë nuk ka pasur garanci se ajo nuk do të zgjerohet.

Aktualisht, janë tri shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, që nuk janë anëtare të NATO-s, por këto tri shtete kanë specifikat e veta.

Serbia ka vendosur që të mos bëhet anëtare e NATO-s, por ajo është partnere e kësaj aleance. Beogradi është i përfshirë në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe bashkëpunon me aleancën.

Si një prej 20 shteteve të Partneritetit për Paqe, Serbia është edhe anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit Euro-Atlantik (EAPC), që ka 50 shtete anëtare. Ky është një forum i bashkëpunimit politik mes 30 shteteve të NATO-s dhe 20 shteteve të Partneritetit për Paqe. Në këtë këshill, anëtare janë edhe Rusia dhe Ukraina.

Edhe Bosnje e Hercegovina është anëtare e Partneritetit për Paqe, ndërsa NATO në këtë shtet ka një rol shtesë përmes misionit të saj. Sarajeva ka nisur me NATO-n edhe të ashtuquajturin Plan të Veprimit për Anëtarësim, që në aleancë njihet me akronimin MAP.

Por, për shkak të përbërjeve të brendshme politike, Bosnje e Hercegovina ende nuk e ka aq të qartë qëndrimin sa i përket anëtarësimit në NATO në të ardhmen. Anëtarësimin në aleancë publikisht e kundërshton udhëheqja në entitetin e Republikës Sërpska.

Në raportet formale me NATO-n, pengesa më të mëdha sa i përket mundësisë së integrimit i ka Kosova. Në Kosovë, NATO ka misionin e vet ushtarak dhe në këtë shtet aleanca kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund luftës dhe spastrimit etnik nga Serbia, më 1999.

Për shkak se katër shtete anëtare të NATO-s – Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia – ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Prishtina nuk ka mundur që të nisë formalisht rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit.

Por, Kosova vazhdimisht shpreh vullnetin dhe gatishmërinë që të bëhet anëtare e NATO-s, duke ndjekur rrugëtimin sikurse vendet tjera, pra duke nisur prej Partneritetit për Paqe deri tek anëtarësimi i plotë.

“Kemi pengesa formale, por kemi gjetur disa mënyra për t’i ndihmuar Kosovës që gradualisht të përgatitet për integrim. Kjo bëhet përmes angazhimit individual të disa vendeve anëtare, aty ku NATO nuk mund të angazhohet kolektivisht”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i një shteti të NATO-s.

Ky diplomat, si shembull ka përmendur ndihmën që disa shtete, si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Kroacia e të tjera, i japin Kosovës për ta ngritur ushtrinë e saj.

Ushtria ka qenë një temë mjaft e ndjeshme, pasi NATO nuk e kishte mbështetur vendimin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, duke argumentuar se një “transformim i tillë nuk është bërë sipas rregullave ekzistuese”.

Më 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshmet ligjore për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, proces ky që pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Kosova është ftuar në cilësinë e shtetit vëzhgues edhe në nismën e Kartës së Adriatikut. Kjo nismë e SHBA-së fillimisht ishte menduar për të ndihmuar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë, që të përgatiten për anëtarësimin në NATO, por të njëjtën ndihmë Uashingtoni më pas ia ka ofruar edhe Malit të Zi, që po ashtu është anëtarësuar në NATO.

Në Kartën e Adriatikut bëjnë pjesë edhe anëtarët e NATO-s, siç janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Mali i Zi. Por, në këtë nismë të SHBA-së është anëtare edhe Bosnja e Hercegovina, ndërkaq Kosova, në cilësinë e shtetit vëzhgues, ftohet shpesh edhe në takime e ushtrime të përbashkëta. Po ashtu, kjo nismë është e hapur edhe për Serbinë, si shtet në cilësinë e vëzhguesit.

Ka pasur kritika edhe ndaj Bashkimit Evropian se “në mënyrë indirekte ka kushtëzuar shtetet e Evropës Lindore që së pari të anëtarësohen në NATO e më pas në BE”. Por, blloku evropian i ka hedhur poshtë këto akuza.

“Është fakt se deri në këtë moment, të gjitha vendet e Evropës Lindore kanë hyrë paralelisht në NATO dhe BE, prandaj edhe procesi është quajtur ‘integrime euro-atlantike’. Por, ky nuk ka qenë asnjëherë kusht. Vetë ato shtete kanë menduar se NATO-ja u ofron siguri dhe stabilitet e BE-ja vlerë shtesë si prosperitet”, ka thënë një diplomat i BE-së.

Ky diplomat po ashtu ka përmendur Serbinë, që ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, por që nuk ka aspirata për anëtarësim në NATO.

Madje, diplomatët në Bruksel kanë theksuar se “Serbia në negociatat me BE-në është para Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat tashmë janë anëtare të NATO-s”.

Pa marrë parasysh se nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të anëtarësuara në NATO apo jo, aleanca ka thënë se është e përkushtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e shteteve të Ballkanit. Në selinë e NATO-s kanë përsëritur qëndrimin se u takon shteteve që të vendosin nëse duan të bëhen anëtare dhe nëse kanë aspirata të tilla dhe i përmbushin kriteret, dyert e aleancës do të jenë të hapura.

Leave a comment

Your email address will not be published.