“Padi për udhëheqësit, për deputetët, të cilët kanë dorë në demarkacionin me Malin e Zi!”

admin 0

“Padi për udhëheqësit, për deputetët, të cilët kanë dorë në demarkacionin me Malin e Zi!”

Rishikimin e demarkacionit e ka mirëpritur edhe analisti politik, Gani Qarri, duke përmendur kundërshtimet e Lëvizjes Vetëvendosje për demarkacionin me Malin e zi.
“Më në fund ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla gjatë raportimit para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë dha lajmin e shumëpritur se Qeveria e re e vendit, disa vite pas miratimit bizar në Kuvend, do ta rishikojë serish nga fillimi, demarkacionin dubioz me Malin e Zi. Në fakt Lëvizja Vetëvendosje ishte ajo, që e ka kundërshtuar fuqishëm që nga fillimi demarkacionin e formës dhe mënyrës së tillë tinëzare, për faljen e 8300 hektarëve tokë të Kosovës, Malit të Zi, siç vepruan e manipuluan partitë e inkriminuara deri sa realizuan qëllimin e tyre renegat”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Qarri ka risjellë në kujtesë veprimet të cilat i kishte ndërmarrë vetëvendosja për ta kundërshtuar demarkacionin me Malin e zi.
“Madje edhe në kohën kur insistohej të bëhej votimi në Kuvend, në përpjekje për ta penguar miratimin e tij, deputetët e VV-së, në vazhdimësi kanë hedhur edhe gaz lotsjellës, për çka vazhdojnë të përballen edhe sot me procese gjyqësore, në vend se para gjyqit dhe drejtësisë, të vendoseshin ata që bënë pazare me tokat e Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”
Më tej, Qarri ka potencuar se nëse rishikohet çështje e demarkacionit, atëherë Qeveria Kurti 2 duhet të ngritë padi penale për veprime antikombëtare e antishtetërore dhe tradhti të lartë shtetërore ndaj vendit kundër Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt.

“Ndaj vërtetë gëzon pa masë fakti, se vetëm pak kohë pas ardhjes në pushtet të binomit LVV-GUXO e Dr. Vjosa Osmanit, e bija e heroit të kombit Jusuf Gërvalla i cili u vra për çështjen madhore të atdheut, nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla deklaron publikisht se kjo çështje për rishikimin e përmbajtjes dhe rrethanave anësore të demarkacionit me këtë shtet, është ri aktualizuar dhe pjesa e ratifikimit ka ngelur vetëm çështje formale. Ndaj nëse vërtetë ky lajm i madh qëndron, dhe ky shtet fqinj tregon mirëkuptim, ashtu siç thuhet, për rishikimin dhe korrigjimin e gabimeve të bëra gjatë demarkacionit dhe 8300 hektarët e falur nga udhëheqësit shqipfolës, vendoset, që ashtu siç edhe ishin para këtij votimi të turpshëm, të mbeten toka të Kosovës, brenda kufijve të Republikës sonë, Qeveria e re duhet të ngritë urgjentisht padi penale për veprime antikombëtare e antishtetërore dhe tradhti të lartë shtetërore ndaj vendit kundër Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Murat Mehajt me bashkëpunëtor dhe të gjithë atyre që përmbi 21 vite shitën dhe falën tokat e Kosovës, duke u përpjekur deri në ditën që u rrëzuan nga pushteti, edhe për ndarjen dhe copëtimin e tërësishëm të saj”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Qarri ka edhe një sugjerim se çfarë duhet të bëhet me ata deputete të Kuvendit të cilët e votuan në atë kohë demarkacionin me Malin e zi.
“Kurse akti i deputetëve që kanë votuar dhe ngritur dorën për faljen e gjithë kësaj toke të vendit, një shteti fqinj, duhet të dënohet me ligj dhe rezolutë në Kuvend, atyre duhet tu hiqet menjëherë mandati i deputetit, të mos u njihet stazhi i kohës sa kanë defiluar si deputetë në Kuvend, duke i shpallur persona të dyshimtë dhe “non-grata” për faktin se kanë keqpërdorur besimin e votuesve dhe pozitën e përfaqësuesit të popullit për të tradhtuar interesat e vendit, si persona të padenjë, për të qenë më, në punë dhe pozita që kanë të bëjnë me shtetin, çështjet e përfaqësimit dhe interesat e vendit”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.
Në fund, Qarri ka shtuar se çfarë do të thotë çështja e rishikimit të demarkacionit me Malin e zi për Qeverinë Kurti, si dhe për ata të cilët ishin me pushtet .
“Çështja e rishikimit të Demarkacionit, jo vetëm që është akti më i duhur i Qeverisë së re, por edhe dëshmia më e mirë, se partitë e inkriminuara të cilat gjatë gjithë kohës, patriotizmin e rrejshëm e kishin strehë të tradhtive dhe kamuflimit të shitjes së interesave të shtetit dhe popullit të Kosovës dhe se gjatë dy dekadave të qëndrimit në pushtet ,nuk janë marrë me asgjë tjetër, përveçse me tradhti ndaj vendit dhe shitjen e tokave të Kosovës duke zhvatë e plaçkitë çdo gjë të vlershme të saj e kthyer shtetin tonë në vend të pabanueshëm për shqiptarët dhe detyruar ata që vetëm në 13 vitet e fundit, me qindra mijëra ta lëshojnë Kosovën, më zi se në kohën e okupimit nga Serbia”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *